Unë çikës teme s’ia pres krahët

.

Unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka lind si qenie e lirë, e plotëpushtetshme për mendimet, vendimet e veta, për trupin e për shpirtin e vet. Ka me e ditë që Zoti e ka kriju si qenie të lirë, edhe nuk guxon me pranu kurgjë ma pak se kjo, nuk guxon me ba kompromis me lirinë e saj. Nuk ka me prit ndonji princ me kalë të bardhë me ardh me e shpëtu nga mjerimi finansiar, dëshpërimi emocional a shoqëror. Kur të jetë e gatshme me u martu, ka me e bë këtë me plot vetëdije e vetëdëshirë, veç atëherë kur beson se është e gatshme t’bahet bashkëshorte e nanë e mirë, e përkushtuar.

Ajo ka me msu se Zoti është i bukur dhe e do të bukurën, dhe ka me e ditë që prej gjërave që e lartësojnë njeriun si qenie është shija për të bukurën. Për rrjedhojë, ajo ka me u kujdes për bukurinë e trupit, pa ra pre e standardeve shthurrëse që i serviren gjithkund. Mbi të gjitha, ajo ka me e ditë se bukuria e vërtetë është bukuria e shpirtit e mendjes, dhe ka me u përpjek me e zbukuru mendjen me dije e shpirtin me mirësi, për me e prek esencën e t’qenit njeri.

Çikës teme nuk kam me ia pre flatrat qysh ua kanë pre nanat ndër gjenerata çikave t’veta. Se çika jeme nuk ka me qenë prona jeme, e nuk guxon me u bë as prona e dikujt tjetër. Përveç krijesë e Zotit dhe zonjë e vetes, ajo nuk guxon me e pa veten si diçka ma pak se kjo. Çika jeme ka me msu se duhet me u kujdes për zemrat e njerëzve, me i gëzu njerëzit, me falë prej zemrës, kohës e jetës së vet për me i lumturu ata. Ama, ajo kurrë nuk ka me iu nënshtru tekave boshe, tendencioze e injorante të dikujt për ta nënshtru qenien e saj veç pse është çikë, grue a nuse. Ajo ka me ditë ma mirë se kaq!

Ajo ka me qenë e etur për dije, ka me qenë ambicioze për me e ndërtu veten me mundin e shkathtësitë e veta, për me u bë e zonja e vetes e për me i shtu mirësi njerëzimit me arritjet e veta. Kur t’bahet nanë, ajo ka me e ditë se fëmija rritet pa gjithçka, por jo edhe pa dashuri e vëmendje. Kur të bahet bashkëshorte, ka me e ditë se elementi thelbësor për me e lumturu t’zgjedhurin e saj, është vëmendja e pandame e saj ndaj çdo aspekti të qenies së tij. Ka me ditë me fliju prej vetes për lumturinë e të dashurit, por asnjëherë prej dinjitetit e vetrespektit të saj. Ajo ka me e ditë se familja është mënyra si ruhet shenjtëria e njerëzimit dhe me urtësi e dashuri ka me kriju nji fole t’ngrohtë ku kanë me gjetë prehje t’dashurit e zemrës së saj.

Ajo ka me e ditë se vlerë i ka dhënë Zoti, dhe se vlera e saj nuk ulet as rritet në raport me njerëzit. Ka me fol n’emër të së drejtës e nuk ka me hesht për padrejtësitë. Çika jeme ka me e ditë sa e fortë është, sepse është çikë. Ajo ka me besu se mundet me e ndryshu botën, edhe ka me ia mësy kësaj. Çika jeme është prototip i çikave të s’ardhmes. Çikat tona janë mrekulli, e mrekullitë s’mundesh me i shtrëngu në grusht, as me ua shujt dritën.

Shpërndaje me të tjerët në:

Tags:

Edukative

Unë çikës teme s’ia pres krahët

View all

.

October 26th, 2020

Babi, shihe atë djalin, këpucët i ka të grisura, a mundemi ti ndihmojmë ne?Bija ime, është e kotë ti ndihmojmë ne sepse ashtu do ngelet ai përgjithmonë.Ky fëmijë edhe përtej...

.

October 3rd, 2020

Profesori të nxjerr në drasë për të zgjidhur një problem matematikor. Sapo fillon të ecësh e ndjen se si zemra rreh më shpejtë, pëllëmbët fillojnë të djersiten dhe nuk mund...

.

December 16th, 2020

Shqiptarët, një popull i lashtë i Ballkanit me rrënjë të thella tek Ilirët e lashtë që të parët i zotëruan këto troje. Ne jemi shumë krenarë për faktin se populli...

Newsletter

Stay up to date with the roadmap progress, announcements and exclusive discounts feel free to sign up with your email.

© 2026 FilloMendo. All rights reserved.