January 17th, 2021

Me shkues apo me dashuri?

Është koha e duhur që ta parashtrojmë pyetjen e rëndësishme: A duhet të bëhen martesat nëpërmjet lidhjeve të shkuesve ose nëpërmjet dashurisë që del si rezultat i mesazheve direkte ndërmjet djalit dhe vajzës? Apo ka ndonjë mënyrë tjetër më të mirë?

Ne të gjithë e dijmë se si më herët në gjeneratat e prindërve dhe gjyshërve tonë lidhjet martesore janë bërë nëpërmjet shkuesve. Familja e djalit e fillon hapin e parë nëpërmjet ndonjë shkuesi që ka raporte të mira me familjen e vajzës. Familja e vajzës e analizon ofertën e shkuesit dhe hulumton gjendjen e familjes së djalit. Nëse pajtohen të dyja palët, atëherë bëhet fejesa dhe caktohet data e martesës. Prit pak! Po vajza dhe djali? A më duket sikur i anashkaluam ata në këtë histori? Jo, nuk i anashkaluam ne, por vetë familjet e tyre. Djali dhe vajza nuk njiheshin deri në ditën finale të martesës.

E sot është pikërisht e kundërta. Djali e fillon lëvizjen me ndonjë Mesazh në rrjetet sociale si Facebook, Instagram, Snapchat apo TikTok. Vajza e pranon ftesën dhe fillon biseda. Ata kanë mundësi të hyjnë në profilet e njëri tjetrit dhe të shohin me qindra foto dhe video të përpunuara që shtrembërojnë fuqishëm realitetin. Pas kësaj ata vendosin të dalin për kafe, të shëtisin nëpër park, të festojnë sëbashku dhe në fund e marrin vendimin e martesës. A e anashkaluam tani familjen? Jo, nuk i anashkaluam ne, por vetë fëmijët e tyre. Ata informojnë familjet e tyre pasi e kanë marrë vendimin e martesës.

Si rezultat i lidhjeve direkte ndërmjet djalit dhe vajzës, si dhe anashkalimin e familjes, sot kemi ritje shumë të mëdha të numrit të ndarjeve në krahasim me gjeneratat e shkuesve. Por, duhet të jemi objektiv dhe ta pranojmë faktin se sot ndarja shihet si zgjidhje dhe familja e vajzës është e gatshme të ndihmojë. Gjeneratat e mëhershme ndarjen e kanë konsideruar si turp dhe në të shumtën e rasteve familja e vajzës nuk ka pranuar që vajza e tyre të kthehet në shtëpi.

E tani çka të bëjmë? Nuk bën as me shkues e as me lidhje direkte?! Apo jo? Në fakt, zgjidhja duket se është te një kombinim i të dyjave. Problemi i lidhjeve direkte është fakti se djali dhe vajza ju dorëzohen emocioneve dhe nuk mendojnë me mendje të shëndoshë. Kjo është shumë normale por gjithashtu është e rezikshme në këtë situatë. Në vend që të bisedojnë për çështjet serioze ata merren me detaje dhe tema shumë të parëndësishme, e dalë ngadalë dashurohen. Kjo e bën të vështirë që të marrin vendimin e duhur. Prandaj duhet që djali dhe vajza të bisedojnë me familjet e tyre përpara se të dashurohen. Kështu familjet do kenë kohë të hulumtojnë njëra tjetrën. E pastaj do mund të këshillojnë më mirë fëmijët e tyre në lidhje me vendimin më të rëndësishëm të jetës.

Nga ana tjetër, djali dhe vajza duhet patjetër të dalin të bisedojnë, të njihen mirë dhe të pëlqejnë njëri tjetrin. Jo vetëm një herë, por disa herë, derisa të binden se janë duke e marrë vendimin e duhur. Por, kjo nuk duhet të bëhet pa praninë e ndonjë antari tjetër të familjes së tyre. Prezenca e këtyre antarëve do ndihmojë në diskutimin serioz të temave të rëndësishme dhe do ndalojë ndërhyrjen e emocioneve të dëmshme. Këta antarë duhet të jenë të afërt, të besueshëm dhe të denjë për të bërë pyetjet e duhura si dhe për të analizuar mirë kandidatin e martesës.

E pse nuk mundemi ne të bisedojmë seriozisht dhe lirshëm pa ndihmën e ndonjë të afërmi? Është e vërtetë se me kalimin e viteve ne bëhemi më të pjekur, e disa këtë maturi e arrijnë në moshë më të re. Ne mund të jemi të pjekur dhe mos mashtrohemi lehtë, por nëse ndodh e kundërta atëherë gabimi është shumë i madh. E pastaj, si mund të presim përkrahjen e familjes nëse ata nuk i kemi përfshirë në vendimmarrje? Duhet të kuptojmë se familja është pjesë e ekipës sonë dhe jo e ekipit kundërshtarë. Nëse bashkpunojmë me familjen atëherë mundësitë e suksesit janë më të mëdha dhe barra e përgjegjsisë ndahet me ta.

Mund të ndodh që edhe prindërit të jenë gabim në gjykimin e tyre përshkak të traditës, botëkuptimit, dëshirave personale, apo arsye tjera. Nëse arsyet e refuzimit janë të palogjikshme dhe të pabaza, nuk është e patjetërsueshme të pranohen. Por, nëse arsyet e familjes janë të shëndosha dhe për të mirën e fëmijës, duhet të merren parasysh. Djali apo vajza duhet të analizojnë mirë arsyet e familjes për kundërshtimin apo insistimin në lidhje.

E tani, pasiqë lidhja ka kaluar fazën e diskutimit me familjen, vendimi final u takon absolutisht djalit dhe vajzës. Lidhja duhet të kurorëzohet vetëm me pëlqimin e tyre, sepse fundja, ata do jenë bartësit e përgjegjsive martesore si dhe pasojat e saja. Kjo që e propozuam ne nuk garanton një martesë të përkryer, por të paktën sigurohemi se janë marrë të gjitha masat e duhura përpara se të merret vendimi final.


Shpërndaje me të tjerët në:

Tags:

Edukative

Me shkues apo me dashuri?

View all

March 16th, 2021

Unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka lind si qenie e lirë, e plotëpushtetshme për mendimet, vendimet e veta, për trupin e për shpirtin e vet. Ka...

June 6th, 2021

Thëniet e urta duhet të jenë pishtarë ndriçues të përgatitur nga përvoja e paraardhësve tanë që do ju bëjnë dritë rinisë sonë. Një thënie që njihet nga të gjithë por...

February 16th, 2021

Vazhdimisht shohim nëpër filmat romantik se sa e vështirë është të gjendet shpirti binjak. Me rëndësi është që pas shumë problemeve ata më në fund bashkohen. E pastaj çka ndodh?...

Newsletter

Stay up to date with the roadmap progress, announcements and exclusive discounts feel free to sign up with your email.

© 2024 FilloMendo. All rights reserved.